20 C
Durres, AL
Ballina Aktualitet Natë magjepsëse, Geraldina Sposa sjell botën e çudirave

Natë magjepsëse, Geraldina Sposa sjell botën e çudirave

Siç paralajmërohej edhe në ftesën e eventit, Geraldina Sposa ka ndërtuar në eventin e përvitshëm një botë të madhe të madhe çudirash, plot elegancë, fashion, shkëlqim. Frymëzuar nga libri i famshëm i Lewis Carol, sfilata më e famshme e veshjeve të nusërisë i ka pritur të ftuarit në një ambient magjepsës dhe të gjithë i janë gëzuar festës së një bote mrekullish, ndërtuar si një skenë gjigande filmi, në mes të qytetit.

Në të gjashtëmbëdhjetën sfilatë, salloni i parë i veshjeve të nusërisë në Shqipëri që ka 24 vite eksperiencë, ka mbledhur plot një mijë të ftuar në një fashion show dhe event që është ndjekur prej mijëra të tjerëve live në rrjetet sociale.

Përtej pritjes, gjithë vëmendja i është kushtuar sfilatës, pasarelës më të gjatë të ndërtuar ndonjëherë në Tiranë, 125 metër të gjatë dhe modeleve të veshjeve të propozuara në të. E ndarë në tri shtylla kryesore, pasarela ka sjellë përpara të pranishmëve linjat kryesore të veshjeve që gjenden në sallon: në parakalimin e parë janë shfaqur rreth 20 fustane mbresëlënëse, duke nisur me ato me volum, të shumëlakmuara nga nuset shqiptare, për të vijuar me linjat më elegante dhe moderne, të gjitha të markës “Geraldina Sposa”.

Lançuar katër vite më parë, i pari prodhim i tillë shqiptar, ka marrë vlerësimin maksimal nga shumica e klienteve të sallonit, pasi jo më kot është frymëzuar nga kërkesat e tyre dhe është realizuar duke pasur në mend vetëm këto nuse. Në këtë pjesë të parë të sfilatës, kanë parakaluar modele profesioniste dhe vajza të njohura të ekranit. Adrola Dushi, modelja më e suksesshme shqiptare sot në botë ka ardhur enkas nga Amerika për këtë sfilatë, me shumë dëshirë si gjithmonë për t’u rikthyer në pasarelën, ku ka sfiluar për herë të parë dhe ku nisi të merrte famë.

Ashtu si ajo për këtë event kanë ardhur edhe Cindy Marina, po nga SHBA, Amela Kalari, pjesëmarrëse në Miss Universe ka udhëtuar Anglia, ndërsa Arentina Shakulli nga Gjermania. Atyre u janë bashkuar dhe modelet dhe vajzat e njohura, Venera Lumani, Andresa Ambrosio, Viola Spiro, Kledia Haxhaja, Kristi Çavo, Vangji Telo, Dojna Mema, Sara Kolami, etj. Parakalimi i dytë, ai me veshje nusërie nga firmat më prestigjioze të botës, ekskluzivitete të “Geraldina Sposa”-s, është bërë nga nuse reale.

Nën ritmet e një kënge të titulluar “Nuse Geraldine”, kompozuar për këtë event dhe pastaj me një muzikë që gërshetonte ritmet e këngëve të njohura të dasmave shqiptare, kliente të sallonit, të martuara së fundmi, kanë parakaluar në pasarelë, duke ndjerë edhe njëherë drithërimat e fustanit të bardhë dhe duke dhuruar për të pranishmit emocione të vërteta. Ka nisur ky parakalim me një nuse të njohur, Vilma Mashën martuar vitin e shkuar, për të vijuar me të tjera vajza, njëra prej të cilave në pritje të embël, për t’u mbyllur me Jona Spahiun, që ka festuar në ketë pasarelë një-vjetorin e martesës si “nuse Geraldine”.

Ndërsa pjesa e tretë e sfilatës, për të parën herë ka sjellë gjithë fustanet “unconventional”, për të gjitha ato vajza që nuk kënaqen me veshjet që kanë të gjithë, por kërkojnë modele më të veçanta. Veshjet e kësaj pjese të tretë të pasarelës janë kompletuar me fustane të shoqërueseve të nuses dhe me këpucët e markës “Marcela Lati Wedding Shoes”, prodhimi i parë shqiptar i këpucëve të këtij lloji, më të mirat e mundshme për të kompletuar veshjen e ditës së dasmës apo të eventeve të rëndësishme.