“Nami” me shpejtësinë, policia kontrolle të shtuara, ndalohet Ferrari me targa të marra nga një automjet tjetër

52

Pavarësisht kontrolleve të shtuara nga Policia Rrugore e kryeqytetit përsëri janë evidentuar shumë drejtues mjetesh që abuzojnë me shpejtësinë dhe alkoolin në timon.

Gjatë 5 orëve të fundit në segmentin rrugor Sauk-Astir dhe rrugën interurbane Tiranë-Durrës -Tiranë, janë konstatuar nga radari 18 drejtues mjetesh të cilët qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionte nga 146 km/h- 159 km/h në rrugën interurbane Durrës – Tiranë. Këtyre drejtuesve Policia Rrugore u pezulloi Lejen e Drejtimit.

Po gjatë oreve të fundit në unazën e madhe në segmentin Liqeni i Thatë-Astir, është evidentuar nga patrullat e Policisë Rrugore një 46 vjeçar që drejtonte një automjet luksoz “Ferrari” i cili kryente manovra të rrezikshme në rrugë.

Pas ndjekjes nga patrullat e Policisë Rrugore është bërë e mundur kapja dhe bllokimi i automjetit. Nga verifikimi paraprak i dokumentacionit rezultoi se targat e mjetit luksoz i përkisnin një automjeti tjetër.

Gjithashtu në segmentin rrugor Teg -Astir dhe rrugën interurbane Tiranë-Durrës-Tiranë, u evidentuan dhe u ndëshkuan 28 drejtues mjetesh për shpejtësi mbi normat e lejuara por pa masë plotësuese atë të pezullimit të lejes së drejtimit si dhe 7 drejtues mjetesh për manovra të rrezikshme në rrugë.

Kontrollet kanë vijuar edhe në rrugët e brendshme të kryeqytetit duke përdorur dragera, ku në këtë hark kohor janë pezulluar 15 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.