Naftëtarët ndërprejnë grevën, Rama:”Nesër do të jem aty te ju!”

24

Naftëtarët kanë ndërprerë grevën e tyre 25 ditore duke pranuar kërkesën e kryeministrit për dialog.

Megjithatë, ata kanë paralajmëruar se nëse nuk marrin një zgjidhje, do t’i rikthehen sërish grevës.

“Jemi për dialog, jemi shkëputur nga familja. Nëse Kryeministri nuk na jep nj zgjidhje, do t’i rikthemi sërish grevës”, shprehen ata.

Menjëherë kryeministri Rama ka reaguar pas vendimit të naftëtarëve për të mbyllur grevën dhe për të dialoguar, duke e konsideruar lajm shumë të mirë.

Rama kërkon që ato të caktojnë përfaqësinë, duke premtuar se do të jetë vetë atje. “Lajm shumë i mirë mbyllja e grevës në Ballsh! Më vjen keq për kaq shumë ditë mundim të panevojshëm, përderisa jo vetëm kemi qenë plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit tuaj, po edhe të gatshëm ta qajmë hallin së bashku! Tani caktoni përfaqësinë dhe nesër do të jem vetë aty me ju”- shkruan Rama në Twitter.

Prej muajsh tashmë, naftëtarët e Ballshit kërkojnë të marrin pagat e prapambetura si dhe të rifillojnë punën. Ata kanë protestuar disa herë para Ministrisë së Transportit, duke mos gjetur një zgjidhje e duke u futur më pas në grevë urie.