Ballina BOTA “Mushkëritë e botës” po bëhen shkrumb e hi, ç’do të ndodhë me...

“Mushkëritë e botës” po bëhen shkrumb e hi, ç’do të ndodhë me planetin tonë?

Amazona, e njohur ndryshe si ‘mushkëria’ e planetit e cila prodhon 20% të oksigjenit është në rrezik. Numri i madh i zjarreve ditët e fundit përveçse po vë në rrezik pyjet, kafshët dhe njerëzit që jetojnë aty, po i kushton shumë shtrenjtë klimës globale. Të njohura me emrin pyjet e shiut, ato janë shtëpia e tre milionë llojeve të bimëve, kafshëve si dhe një milion njerëzve indigjenë.

Presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro është përballur me shumë kritika e akuza për mungesën e masave të marra kundër shpyllëzimit e zjarreve. Megjithatë, kjo është një krizë ndërkombëtare. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron iu kërkoi anëtarëve të G7 që të bisedojnë me urgjencë rreth kësaj çështjeje në samitin që do të mbahet në Biarric këtë fundjavë.

Sipas qendrës hapësinore të kërkimeve, të Brazilit, 72.843 zjarre kanë prekur Amazonën, një rritje kjo prej 83 përqindësh krahasuar me vitin e kaluar. Ashtu  në  Brazil, edhe në Bolivi, zjarret po shkrumbojnë hapësira të mëdha toke. Sipas zyrtarëve bolivianë, rreth 500 mijë hektarë pyje janë shkrumbuar plotësisht.