Ballina Aktualitet Mungesa e reshjeve të shiut, Shqipëria importon 100 milionë euro energji elektrike

Mungesa e reshjeve të shiut, Shqipëria importon 100 milionë euro energji elektrike

Në pesë muajt e parë të vitit, Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i është dashur të zhvillojë disa dhjetëra procedura prokurimi, për të blerë energji në tregun e parregulluar. Për shkak edhe të situatës jo të favorshme hidrike, sasia që është blerë nga ky treg, ka qenë e lartë dhe në disa raste, me çmime të kripura, duke vënë në vështirësi financiarisht kompaninë publike të shpërndarjes.

Të dhënat zyrtare të OSHEE-së tregojnë se nga janari në maj, janë importuar 1.3 milionë MWh energji, me një çmim mesatar prej 73.47 eurosh, çka bën që në total, blerjet në tregun e parregulluar për të plotësuar konsumin në vend të kenë kapur vlerën 96.8 milionë euro, pa përfshirë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

Blerjet në tregun e parregulluar në 5 muaj, në janar çmimi më i kripur.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike e nisi 2019 me shpenzime të larta në importe. Për shkak të prodhimit minimal të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, sasia më e madhe e energjisë u sigurua në tregun e parregulluar.

Konkretisht, në janar, u blenë në këtë treg mbi 338 mijë MWh energji me një çmim mesatar prej 89.86 euro/MWh, çka rezultoi me një faturë rreth 35 milionë euro pa TVSH. Ky është muaji me shpenzimet më të larta të OSHEE për energji të blerë nga tregu i parregulluar.

Në shkurt, nga ana e kompanisë së shpërndarjes, është bërë 173 mijë MWh energji me një çmim 69.81 euro/MWh. Kjo është edhe sasia më e vogël e kontraktuar nga ky treg në këta 5 muaj, me një faturë prej 12 milionë eurosh. Çmimin mesatar më të lirë, OSHEE e ka siguruar në muajin prill, me 62.92 euro/MWh, çka pavarësisht sasisë së konsiderueshme prej mbi 236 mijë MWh importe, fatura kishte një vlerë prej 14.8 milionë euro pa TVSH.

OSHEE ble nga KESH me një çmim 1.45 lekë/kwh dhe e shet atë tek konsumatori fundor me 9.5 lekë, ndërkohë që për disa kategori biznesi, edhe me 14 lekë/kwh. Çmimi me të cilën OSHEE ble nga KESH është dukshëm i ulët në raport me atë që OSHEE siguron nga tregu i parregulluar. Reshjet e fundit duket se nuk kanë dhënë ndonjë efekt të dukshëm në prodhimin vendas.

Prodhuesit me përparësi të energjisë kanë një prodhim modest, që nuk bën ndonjë diferencë të madhe sipas OSHEE-së, ndërkohë që vetë KESH po tenton të krijojë rezervë hidrike. Në këto kushte, duket se si për Shpërndarjen, ashtu edhe për Korporatën, sytë janë drejtuar nga qielli dhe shpresa për më shumë reshje.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare prej vitesh zbaton praktikën e optimizimit, duke tentuar përmirësimin e portofolit ekonomik. Edhe gjatë këtij viti, KESH është përfshirë në këtë lloj procedure që do të thotë se shet një sasi të caktuar energjie në kohë piku, duke siguruar një çmim të mirë dhe ble gjatë orëve të natës me një çmim më të lirë.

Rasti më i fundit i optimizimit ishte në muajin mars kur KESH shiti 3360 MWh energji me një çmim të ponderuar prej 57.34 ndërkohë që bleu 3332 Mwh me një çmim të ponderuar 45.02 euro/MWh. Vetëm nga kjo procedurë KESH arriti që të dilte me një bilanc pozitiv në të ardhura prej rreth 43 mijë eurosh. Të njëjtën praktikë KESH tentoi të zhvillonte edhe në prill për periudhën 13-22 prill 2019.

OSHEE raportoi ulje të përgjithshme të humbjeve dhe rritje të arkëtimeve për periudhën janar-mars, por sfida më e madhe mbetet fakti që 26.2% e energjisë që hidhet në rrjet humbet.

“Totali i Arkëtimeve ka shënuar një rritje në masën 4.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i abonentëve të rinj është shtuar me 2,3%. Në 3-mujorin e parë, të ardhurat nga arkëtimet janë 18.3 miliardë lekë, me një përmirësim prej 816 milionë lekësh krahasuar me vitin e kaluar”, raportoi OSHEE.

Një element i rëndësishëm në financat e kompanisë është ecuria e arkëtimit të borxhit të keq principal për faturat e prapambetura. Sipas të dhënave zyrtare të OSHEE, borxhi i keq principal për fatura 2007-2014 ishte 44,3 miliardë lekë në fund marsit 2019, nga 67,8 miliardë, që ishte në fund të vitit 2014.

“Kjo nënkupton reduktim në masën 1,1% nga fundi i vitit 2018 ose 34,7% nga fundviti 2014. Ky tregues është përmirësuar në sajë të ndjekjes së debitorëve nëpërmjet proceseve të vazhdueshme, ashtu sikurse edhe riaktivizimit të aktmarrëveshjeve”, – sipas OSHEE.

Operatori tha gjithashtu se në 3-mujorin e parë të këtij viti është regjistruar edhe një rënie e numrit të ankesave për faturim në masën 19,8% krahasuar me një vit më parë, çka dëshmon për rritjen e cilësisë në shërbim dhe faturim. Mesatarja e ankesave mujore në raport me numrin total të faturave të lëshuara është në nivelin e më pak se 0,6%.