Ballina Aktualitet Moti i keq paralizon Durrësin e Vlorën, mbyten disa varka peshkimi

Moti i keq paralizon Durrësin e Vlorën, mbyten disa varka peshkimi

Mëngjesi i sotëm e ka gjetur sërish me mot të keq qytetin e Vlorës. Mediat raportojnë se lundrimi detar vijon të mbetet i pezulluar për shkak të erërave të forta e dallgëve të mëdha.

Po ashtu ato bënë me dije se si pasojë e motit të keq janë mbytur edhe pesë varka të vogla peshkimi në zonën e plazhit të vjetër ku qëndronin.

Ndërkohë, raportohet të ketë pasur probleme edhe në pyllin e Sodës ku janë rrëzuar disa pemë.

E njëjta situatë paraqitet edhe në qytetin e Durrësit. Për shkak të motit të keq dhe me erë që ka përfshirë qytetin e Durrësit këtë fundjavë është pezulluar lundrimi në Adriatik.

Era është e fuqishme dhe shkon deri ne 20 m/s ndërsa lartësia e dallgës 8 deri 9 ballë në det të hapur. Kapiteneria e Durrësit dhe Barit mbylli portet gjatë natës duke mos lejuar nisjen e trageteve. Tragetet janë nisur mëngjesin e sotëm me 8 orë vonesë. Lundrimi qëndron i pezulluar edhe për anijet e tjera të lundrimit të cilat janë ankoruar në vendstrehime për t’ju shmangur përplasjeve nga era.

Një mot të tillë e paralajmëroi edhe Drejtoria Detare, e cila njoftoi për det të trazuar në 3 ditët e para të muajit shkurt.

Njoftimi i Drejtorisë Detare:

Drejtoria e Përgjithshme Detare njofton lundërtarët, pronarët e mjeteve detare, operatorët në portet e Shqipërisë dhe në hapësirën detare, që ditën e premte, të shtunë dhe të diel, në datat 1, 2 dhe 3 shkurt 2019, bregdeti ynë do të përfshihet nga erëra me drejtim nga jugu në juglindje dhe forca e detit 7, shkalla Boufort, në det të hapur.
Drejtoria Detare iu bën thirrje të gjithë subjekteve që operojnë në fushën e detarisë që të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte dhe të rrisin shkallën e gatishmërisë së ekuipazhit në mjete.