Ballina BOTA Moskë, presidenti Putin ftohet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë

Moskë, presidenti Putin ftohet të vizitojë Shtëpinë e Bardhë

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka dorëzuar presidentit rus Vladimir Putin ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për të vizituar Uashingtonin në vitin 2019. Në një intervistë për mediat, këshilltari i president Trump për sigurinë kombëtare John Bolton tha se e dorëzoi ftesën gjatë takimeve të tij me presidentin Putin në Moskë.

Megjithatë, vizita e Bolton në Rusi u dominua kryesisht nga njoftimi se administrata e Shtëpisë së Bardhë planifikon të tërhiqet nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme 1987. Kjo marrëveshje, e cila largoi nga Evropa një kategori të tërë raketash, konsiderohet kyçe për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës.

Por, takimet përfshinë edhe çështje të tjera, si luftërat në Siri dhe Ukrainë, ndërhyrja e supozuar e Rusisë në zgjedhjet në SHBA dhe Koreja e Veriut.

Presidentët Trump dhe Putin u takuan për herë të fundit në muajin korrik, në Helsinki, ndërsa tani pritet që presidenti rus të vizitojë Shtëpinë e Bardhë, pavarësisht konflikteve që ekzistojnë mes dy superfuqive.