Ballina Politikë Mosdekretimi i Lleshit, flasin ish-presidentët Topi dhe Moisiu

Mosdekretimi i Lleshit, flasin ish-presidentët Topi dhe Moisiu

Dy ish-presidentët Bamir Topi dhe Alfred Moisiu, gjatë një emisioni televiziv mbrëmjen e djeshme, u shprehën se presidenti Ilir Meta duhet të jetë transparent dhe se ai nuk ka të drejtë të mos e dekretojë Sandër Lleshin në postin e ministrit të brendshëm nëse nuk ka arsye të forta për një vendim të tillë.

Gjatë emisionit televiziv, të dy ish-presidentët sëbashku diskutuan dhe shprehën qëndrimet e tyre për çështjen e precedentit të krijuar nga presidenti Meta, për mosdekretimin e Lleshit në postin e ministrit të brendshëm. Si Moisiu, ashtu edhe Topi u shprehën qartazi se, personalisht, nuk shihnin asnjë pengesë për të mos dekretuar Lleshin, por gjithashtu theksuan se presidenti Meta mund të ketë një arsye të fortë për vendimin e marrë.

“Konkretisht, kam pasur dy raste, edhe me Nanon, edhe me Berishën. Me Nanon pata vërejtje për dy nga ministrat, por u sqaruam. Me kryeministrin Berisha pata vërejtje për një ministër, ai e argumentoi pse duhet ta kishte atë në qeveri. Unë i thashë që përgjegjësia politike ishte e tij. Biseduam dhe i konsumuam gjërat që mos mbetej asgjë në errësirë. Për mua s’ka asnjë pengesë për të dekretuar Sandër Lleshin. Unë kam qenë në dy raste gati për të refuzuar, por pasi jemi sqaruar me kryeministrat i kam dekretuar,” – u shpreh ish-presidenti Moisiu, duke sjellë rastet gjatë eksperiencës së tij presidenciale.

Kurse ish-presidenti Topi shtoi se presidenti Meta duhet t’i bëjë publike arsyet e tij për zgjedhjen e bërë duke thënë tekstualisht: “Nëse kandidatura i plotëson detyrimet kushtetuese, atëherë unë do ta dekretoja. Në këtë rast, Meta mund të ketë arsye, por ai duhet të bëjë transparencë.”