Mjekja nga Durrësi procedohet penalisht, pacienti 40 vjeçar ndërroi jetë në banesë

78

Policia e Shijakut tha se ka nisur procedimin penal për një mjeke të spitalit rajonal të Durrësit.

Ajo dyshohet se ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme një 40-vjeçar, nga Shijaku i cili ka ndërruar jetë në banesë.

Denoncimi është bërë nga vëllai i viktimës.

Spitali, ka reaguar duke pretenduar se viktima ka qenë përdorues droge dhe se i ishin bërë të gjitha shërbimet.

Njoftimi i Policisë:

Shijak – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak proceduan penalisht për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”, shtetasen P. K., 47 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë mjeke në Spitalin Rajonal Durrës.

Për këtë shtetase ka bërë kallëzim shtetasi E. M., 31 vjeç, pasi dyshohet se ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme vëllanë e tij, shtetasin E. M., 40 vjeç, i cili ka ndërruar jetë në banesë.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.