Ballina Aktualitet Mirditë, banorët kundër hidrocentraleve, reagon edhe Dom Gjergj Meta

Mirditë, banorët kundër hidrocentraleve, reagon edhe Dom Gjergj Meta

Koncensioni për ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi lumin e Urakës, në Selitë të Mirditës, ka ngritur në protestë banorët e zonës. Ata kundërshtojnë vendimin e këtyre projekteve që dëmtojnë rëndë natyrën dhe të gjithë ekosistemin e kësaj zone.

Sipas banorëve, vendimet për ndërtimin e hidrocentraleve janë marrë dhe nënshkruar në mungesë të plotë të transparencës me komunitetin vendas, ndaj janë të vendosur në rezistencën e tyre për të penguar zbatimin e këtyre projekteve. Komuniteti i kësaj zone ka nënshkruar edhe një peticion, i cili do t’ju dërgohet institucioneve për të kërkuar anulimin e këtyre koncesioneve.

Në mbështetje të tyre ka dalë edhe Dioqeza e Rrëshenit. Nëpërmjet një statusi në Facebook, ipeshkvi Dom Gjergj Meta shkruan: “Zoti na ka dhanë natyrën, lumenjtë e detet, nuk mund dhe nuk duhet t’i përçudnojmë. I bëj thirrje shtetit që të mos lejojë të përsëriten gabimet që janë bërë mbi Fan apo në Valbonë a kudo tjetër. Zëri i komunitetit selitas që jeton aty me shekuj duhet të dëgjohet. Unë jam me ta e do të jem gjithmonë në mënyrë që Uraka e bukur të mbetet sikurse e ka bërë Zoti.”