Ministria e Shëndetësisë shpjegon përse nuk do të hiqet ora policore edhe për shumë kohë

99

Ora policore që ka nisur në mars 2020 nuk do të hiqet as këtë vit dhe madje parashikimet janë që kjo mos të ndodhë as vitin e ardhshëm, sa kohë koronavirusi i ri Sars-Cov-2 zhvillon mutacione të reja të cilat krijojnë vatra masive përhapjeje globalisht.

Ministria jonë e Shëndetësisë ka vendosur të përdorë pikatoren në zbutjen e orës policore por jo ta heqë atë. Dje u shty liridalja nga 22 në 23.00 kurse në 1 korrik do të bëhet ora 24.00.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe kryetare e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Ermira Rakacolli tha sot se edhe kjo zbutje e orës policore është subjekt ndryshimi në çdo kohë në rast se situata nuk është kjo aktuale, por mund të përkeqësohet.

“Masat mund të ndryshohen dhe kjo është në varësi të të dhënave që kemi. Këto masa përkojnë me të dhënat që kemi sot. Në rast të përkeqësimit të situatës atëherë masat do të ndryshojnë, por ne shpresojmë të kemi një verë të qetë dhe situata të vijë drejt përmirësimit”, thotë Rakacolli.

Por përse mbahet akoma ora policore? Rakacolli thotë: “Ora policore mbahet për arsye që një individ apo një grup individësh mos të qëndrojnë gjatë në një ambjent. Ora policore ka pasur efektshmëri edhe më parë”.

Ajo që tremb shumë komitetin Teknik është se të rinjtë dhe të rejat mund të futen për orë të tëra në klube nate, diskoteka, pub-e dhe lokale të tjera argëtimi ku distancimi, në kushtet e ekstazës bëhet inekzistent.