Ballina Aktualitet Ministria e Brendshme ndalon tregtimin e lëndëve piroteknike

Ministria e Brendshme ndalon tregtimin e lëndëve piroteknike

Ministria e Brendshme u ka kërkuar të gjitha subjekteve tregtare që të ndërpresin importin, magazinimin dhe tregtimin e të gjitha lëndëve plasëse, mjeteve shpërthyese dhe piroteknike me efekt të tillë, të cilat i drejtohen tregut të gjerë.

Në prag të festave të fundvitit, Ministria e Brendshme u bën thirrje prindërve, familjarëve dhe kujdestarëve që të mos inkurajojnë dhe të mos lejojnë përdorimin e mjeteve të sipërpërmendura nga fëmijët apo të rriturit.

Gjithashtu, fton të gjithë qytetarët që të raportojnë në të gjitha rrugët e mundshme rastet e tregtimit apo përdorimit të lëndëve plasëse, atyre shpërthyese dhe mjeteve piroteknike si dhe u kërkon gjithë subjekteve politike që të marrin masa për të mbajtur kontroll dhe përgjegjësi të plotë gjatë organizimit të veprimtarive, me qëllim ndalimin kategorikisht të përdorimit të mjeteve të sipërpërmendura gjatë tyre.

Në ditët në vijim, qeveria shqiptare do të rishikojë kriteret dhe standardet e licencimit të subjekteve që importojnë, magazinojnë apo tregtojnë lëndë të rrezikshme. Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera shtetërore do të intensifikojnë kontrollet dhe do të marrin të gjitha masat e nevojshme për të eliminuar rrezikun për sigurinë publike që buron nga përdorimi i mjeteve të rrezikshme.