Ministria e Arsmit shpalos opsionet e zhvillimit të mësimit për vitin 2020/2021

91

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21. Në një komunikatë për media thuhet se organizimi i mësimit është parashikuar të nisë për të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Për rihapjen e institucioneve arsimore, gjatë hartimit të Udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021, në kushtet e pandemisë COVID-19, janë marrë parasysh vlerësimi i gjendjes dhe udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, Bankës Botërore, WFP-së, IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në udhëzuesin e përgjithshëm, përveç tjerash janë përcaktuar edhe tre skenarë për organizimin e mësimit në kushte pandemie.

Në skenarin e parë është parashikuar kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese.

Tek plani i dytë ose skenari B është përllogaritur kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar; prezencë në shkolla dhe mësim online.

Kurse në skenarin e tretë dhe të fundit autoritetet kanë planifikuar ta vijojnë mësimin online.

Gjithashtu, MASH ka bërë të ditur se janë duke u bërë përgatitjet për shpërndarjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor.

Fillimi i vitit të ri shkollor në Kosovë është parashikuar të nisë më 1 shtator. Prezenca e pandemisë së Covid-19, ka detyruar autoritetet të hartojnë një sërë planesh paraprake, me qëllim garantimin e procesit dhe ruajtjen e shëndetit të nxënësve.