Ballina Ekonomi / Biznes Ministri Ahmetaj: Të taksohen edhe pagat më të ulëta

Ministri Ahmetaj: Të taksohen edhe pagat më të ulëta

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka dalë kundër pragut të pataksueshëm prej 30 mijë lekësh. Sipas ligjit, për qëllime të tatimit mbi të ardhurat personale, merren si të ardhura të tatueshme: pagat dhe shpërblimet e tjera, në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës, si dhe të ardhura që nuk vijnë nga puna.

Ndryshe nga propozimi i bërë javën e kaluar në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë për rritjen e pagave të taksueshme në 40 mijë lekë nga 30 mijë, dje gjatë diskutimit të projekt-buxhetit 2019, Arben Ahmetaj ka dalë me një propozim në drejtim krejtësisht të kundërt.

“Më thatë për ndryshimin e Tatimin e të Ardhurave Personale. Do ta diskutojmë kur të vijmë tek diskutimi nen për nen. Unë besoj se janë rreth 55% të punësuar që janë jashtë sistemit fiskal, pra nuk kontribuojnë fiskalisht nëpërmjet tatimit mbi të ardhurat personale. Besoj se mund të maturojmë një propozim që ta ulim pragun, nga 30 mijë, ta çojmë në 10 mijë lekë.

Ose të futim në sistem një taksë 1.5% të gjithë të punësuarit me pagën e ulët. Unë e kam bërë një propozim dhe besoj se do të diskutohet në të ardhmen: t’i futim të gjithë kontribuues me një normë prej 1.5% të tatimit mbi të ardhurat personale,” – tha Ahmetaj gjatë diskutimit në Komisionin e Ekonomisë.