Ballina Aktualitet Bruksel, deputeti Mediu para Parlamentit Evropian: Jemi pa gjykata, gjithë pushtetin e...

Bruksel, deputeti Mediu para Parlamentit Evropian: Jemi pa gjykata, gjithë pushtetin e ka Rama

Deputeti Fatmir Mediu, që njëkohësisht është edhe kryetari i Partisë Republikane, ka theksuar sot në Bruksel, gjatë takimit të nivelit të lartë në Parlamentin Evropian, se “për më shumë se një vit jemi pa gjykatë kushtetuese dhe gjithë pushtetin e ka kryeministri.”

Mediu është pjesë e delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë, delegacion që kryesohet nga socialisti Taulant Balla dhe në përbërje të të cilit janë edhe deputetët Vasilika Hysi, Edmond Spaho dhe Klajda Gjosha. Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë zhvilloi një takim me Komitetin e Politikës së Jashtme të Parlamentit Evropian, ndërkohë që i pranishëm ka qenë edhe komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatat për zgjerim Johannes Hahn.

Në këtë takim, deputeti Mediu, teksa ka theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi, ka vënë në dukje faktin se kjo reformë nuk përbën arsyen e mjaftueshme që vendi të qëndrojë pa gjykata. “Të themi që më mirë një kohë pa gjykata se me gjyqtarë të korruptuar është e pavend, sepse, si opozitë, mund të themi më mirë pa qeveri se sa me qeveri të korruptuar, – ka thënë deputeti Mediu. – Ekzistenca dhe funksionimi i gjyqësorit është thelbësor për qeverisjen e drejtë dhe të drejtat e qytetarëve. Më shumë se një vit jemi pa gjykatë kushtetuese dhe gjithë pushtetin e ka kryeministri.”