Ballina Kronikë Mediat italiane, “Corriere della Sera”: “Trafiqe dhe tregime nga “Albanistani”

Mediat italiane, “Corriere della Sera”: “Trafiqe dhe tregime nga “Albanistani”

Arrestimi i shumtë i shqiptarëve të përfshirë në trafikun e drogës, kohët e fundit është kther në një kryetemë për mediat e huaja.

Një tjetër artikull është publikuar sot, ku media prestigjioze italiane Corriere della Sera shkruan për fenomenin e prodhimit të drogës në Shqipëri, dhe për atentatin e djeshëm në qytetin e Vlorës, ku dy persona mbetën të vdekur dhe një tjetër u plagos.

Artikulli i cili mban titullin “Trafiqe dhe tregime nga “Albanistani”, i gazetarit Andrea Galli flet për krijimin e një narko-shteti, një term ky që është përdorur gjerësisht dhe nga opozita shqiptare kundrejt qeverisë në çdo betejë parlamentare e studio televizive.

Analiza e gazetarit të medias italiane zbërthen të gjithë domethënien e termit  “narko-shtet”, i cili në thelb ka rregullimin e hesapeve, telefonatat mbi drogën si dhe lidhjet e trafikantëve me politikanë.

“Përkufizimi i “narko-shtetit” ka në themel të tij rregullimet e hesapeve, tonelatat e drogës, krimet e eksponentëve shtetërorë të kamufluar si aksidente rrugore, djemtë që joshen nga kriminelët dhe transformohen në vrasës, lidhje mes politikanëve dhe narko-trafikantëve shqiptarë, e cila nuk mbetet më vetëm në kuadër të prodhimit të marijuanës, por është futur edhe në kanalet ndërkombëtare të kokainës, në aleancë me ndrangheta-n dhe klanet amerikano-jugore,” – thuhet në artikull.

Duke listuar një sërë problemesh në Shqipëri, media italiane ndalet gjitahshtu edhe tek aferat korruptive. Ajo shkruan se është krijuar një kulturë edhe tek qytetarët, të cilët sapo ndalohen për një kontroll rutinë nga Policia e Shtetit ata menjëherë bëjnë gati “paratë”, si metodë  e qartë për të korruptuar efektivët e policisë.

Ajo në fund shkruan edhe për “djemtë e dhunshëm” që bëjnë pjesë në klane të ndryshme mafioze, të cilët duke u marrë me trafikimin e lëndëve narkotike, sigurojnë shuma të mëdha parash dhe kontrollojnë tregun e hashashit në Evropë dhe të kokainës nga Amerika e Jugut,  Holandë dhe së fundmi në Londër.

Sipas artikullit, “Globalizmi” ka ngritur në një shkallë superiore teknikën për prodhimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe kjo i bën ata (klanet shqiptare) të “paprekshme”.

“Në një vend ku spikat patriotizmi, me një ndjenjë të rrallë mikpritjeje dhe me një natyrë të mrekullueshme, jetojnë të lirë dhjetëra të kërkuar, të dënuar në Itali por jo të arrestuar. Me 200 mijë euro mund të fitohet pandëshkueshmëria e përjetshme”,  thekson në fund “Corriere della Sera”. Këto klane sipas gazetarit italian mbajnë peng një vend të mrekullueshëm dhe mikpritës si Shqipëria.