“Më jep brenda 2 muajve 10 mijë euro ose do të vras”, arrestohet në Itali fieraku i rrezikshëm, për çfarë akuzohet

30

Behar Aliaj, 36-vjeç është arrestuar në Itali dhe më pas është ekstraduar drejt vendit tonë, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë i kishte caktuar masën e sigurisë arrest me burg. Aliaj ka kanosur një person në vitin 2017, në vendin e quajtur ‘Sheq i Madh’ në Fier, që ti jepte një shumë prej 10 mijë eurosh brenda 2 muajve në të kundërt do ta vriste.

Njoftimi i policisë:

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, ekstradohet nga Italia drejt Shqipërisë, 36-vjeçari.

Falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma/Itali, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi në Itali, me qëllim ekstradimi vendit tonë, i shtetasit shqiptar: B. A., 36 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 24.05.2018 i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Më datë 24.03.2017, në vendin e quajtur “Sheq i Madh”, Fier, shtetasi B. A. dyshohet se ka shtrënguar me anë të kanosjes ose dhunës, shtetasin E. B., duke e kërcënuar se do ta vriste, nëse ai nuk do t’i jepte brenda dy muajve, shumën 10.000 euro.