Me çantën plot me para, 50 vjeçari “e pëson” në kufi! Policia jep detajet

60

Policia e Shtetit njofton se vijojnë kontrollet intensive për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve, Policia Kufitare, brenda pak ditësh, ka goditur tre raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Sekuestrohen 20 000 euro.

Procedohet penalisht 50-vjeçari, poseduesi i shumës monetare.

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe bazuar në analizën e riskut, në dalje të RSH-së, kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, mjetin tip kamion që drejtohej nga shtetasi A. O., 50 vjeç, banues në Sarandë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore, gjetën të fshehura në çantën personale të shtetasit A. O., 20 000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, u procedua penalisht shtetasi A. O., për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Disa ditë më parë, shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë goditën edhe dy raste te tjera të mosdeklarimit të të hollave në kufi.-njofton policia.