Me armë zjarri në makinë, arrestohen dy persona në Vlorë

19

Dy persona janë arrestuar sot pasi u kapën me armë zjarri në makinë.

Ngjarja është raportuar në lagjen “Partizani” në Vlorë, në vendin e quajtur “Ura e martirëve”.

Dy persona, që më herët kishin zbritur nga një makinë “Audi”, u larguan menjëherë me vrap sapo vunë re praninë e policisë.

Ata janë 21-vjeçari me inicialet E. G, dhe 26-vjeçari me inicialet J. A.

Njëri prej tyre gjatë largimit ka hedhur në tokë një armë zjarri, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Shërbimet e Policisë i kanë ndjekur dhe i kanë prangosur dy te rinjtë duke bërë më pas shoqërimin e tyre në Komisariatin e Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Vijon puna hetimore për të zbardhur autorësinë se cili nga të rinjtë posedonte armën e zjarrit.