Ballina Aktualitet Mbyllet restoranti i ndryshkur me produkte të skaduara në Golem, gjobiten edhe...

Mbyllet restoranti i ndryshkur me produkte të skaduara në Golem, gjobiten edhe dy subjekte të tjera

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon kontrollet dhe gjobat kundër subjekteve që nuk respektojnë ligjin. AKU-ja njofton se nga kontrolli i fundit në tre subjekte, në Golem dhe Tiranë u gjetën shkelje duke u gjobitur me 3 mln lekë, ndërsa njëri u mbyll, pasi restoranti ishte pa kushte higjeno-sanitare dhe me produkte të skaduara.

Nga kontrolli i ushtruar në një “Market” me aktivitet  “Tregtim produktesh ushqimore” Tiranë, u konstatua se subjekti ushtronte veprimtarinë pa u pajisur me licencën përkatëse “Shitje me shumicë e produkteve me origjinë shtazore për njerëz”.Për shkeljen e konstatuar, AKU e gjobiti me 2,000,000 lekë.

Në Golem u ushtrua kontroll në subjektin “A.H.”, teksa në restorant konstatua se kushtet higjeno sanitare ishin të papërshtatshme, në kuzhinë kishte prezencë të sendeve të tepërta dhe pajisje të amortizuara me prani të ndryshkut, muret kishin prezencë lagështire dhe kishte prani të insekteve.

Në momentin e kontrollit u konstatuan produkte me afat të kaluar përdorimi, si niseshte dhe bukë e bluar për gatim. Gjithashtu, subjekti nuk implementonte sistemin e vetëkontrolli (HACCP).

Për shkeljet e konstatuara, AKU mori masat e mëposhtme: gjobë 500,000 lekë për mungesë të kushteve higjeno-sanitare, 300,000 lekë për hedhjen në treg të produkteve me afat të kaluar përdorimi dhe 100,000 lekë për mos implementimin e planit të vekontrollit (HACCP).

Gjithashtu u bllokua restoranti dhe produktet me qëllim asgjësimin e tyre. Subjekti i tretë që u kontrollua ishte “I.H.G.” restorant produkte mikse në Tiranë, ku u konstatua se nuk implementonte sistemin e vetëkontrollit (HACCP). Për shkeljen e konstatuar AKU e gjobiti me 100,000 lekë.