Mbyllen spitalet rajonale COVID në vend, flitet për lehtësim të masave

46

Janë mbyllur nga kjo e martë spitalet rajonale që prej disa muajsh shërbyen për të trajtuar të prekurit me koronavirusin.

Lajmin e bëri publik ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila tha se ky vendim erdhi pasi në këto spitale nuk ka më të shtruar.

“Mbyllja e pavioneve në spitalet rajonale rikthen në një situatë normaliteti këto spitale dhe flasim këtu për Spitalin Rajonal të Elbasanit, i cili sot nuk ka më pacientë të shtruar. Rastet të cilat do të vijnë të triazhohen në spitalin e Elbasanit do të referohen në spitalin Covid1, në Tiranë.

Ashtu sikurse janë në një proces të mbylljes edhe pavioni i infektivit në Spitalin Rajonal të Durrësit dhe ai në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Këto ishin tre spitalet apo tre pavionet në tre spitalet rajonale që i’u përgjigjën skenarit të dytë”, deklaroi Manastirliu.

Nisur nga numri i ulët i të prekurve, por edhe i atyre që kanë nëvojë për shërbim spitalor, ministrja tha se do të vlerësohet edhe mundësia për t’i trajtuar ata në një spital të vetëm.

“Ne sot jemi në një situatë shumë të kontrolluar epidemiologjike, ku fakti që jemi duke mbyllur pavionet në spitalet rajonale dhe jemi duke vlerësuar edhe mundësinë për të përqëndruar rastet e pacientëve në një spital të vetëm, duke qenë se kemi pak numra, tregon që jemi në momentin për të riparë masat aktuale që janë aktualisht të vendosura”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u shpreh se këto dy ditë do të vlerësohet lehtësimi i masave aktuale.

“Komiteti Teknik i Ekspertëve është duke vlerësuar në dinamikë situatën. Besojmë që brenda dy ditëve të ardhshme do të kemi një mbledhje të Komitetit Teknik të Ekspertëve, të cilët janë duke shqyrtuar masat.

Po mendohet një rivlerësim në kuadër të lehtësimit, por do të jetë gjithmonë një rihapje e kontrolluar, graduale. Pra do të ecim me një gradualitet edhe përsa i përket lehtësimit të masave që aktualisht kemi të përcaktuara”, tha Manastirliu.