Mbushi armën për të qëlluar policët, identifikohet i riu që ruante drogën në pyll

35

Për pak mund të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë një ngjarje e raportuar sot në një zonë të pyllëzuar, në Cakran të Fierit.

Burimet zyrtare policore thanë se në fshatin Gjorgoz u konstatua një person i cili mbante në dorë një armë të tipit kallashnikov.

Ai është identifikuar si 29-vjeçari Greseld Shpataraku, nga Patosi.

Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të riut që të hidhte armën dhe mos të lëvizte, por ai nuk i është bindur urdhrit dhe ka drejtuar armën e zjarrit nga policët, duke e mbushur me qëllim që të qëllonte në drejtim të tyre.

Nga reagimi i efektivëve 29-vjeçari mbeti i plagosur, për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, në afërsi të vendit ku u konstatua personi me armë kishte dhe fidanë cannabis sativa të kultivuar në kubikë.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar edhe arma e zjarrit kallashnikov.