Ballina BOTA Mbretëri e Bashkuar, sot votohet për parlamentin e ri dhe formën e...

Mbretëri e Bashkuar, sot votohet për parlamentin e ri dhe formën e daljes nga BE

Sot, zgjedhësit në Mbretërinë e Bashkuar — Angli, Skoci, Uells, Irlanda e Veriut — i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur parlamentin e tyre të ri dhe, rrjedhimisht, edhe qeverinë e re.

Në qendër të fushatës elektorale për këto zgjedhje të parakohëshme ishte mënyra e daljes nga Bashkimi Evropian, ku Partia Konservatore e kryeministrit në detyrë Boris Johnson synon largimin nga BE më 31 janar 2020 qoftë edhe pa një marrëveshje rregulluese, ndërsa Partia Laburiste që drejtohet nga Jeremy Corbin kërkon arritjen e një marrëveshje me BE dhe miratimin e asaj marrëveshje me referendum.

Në fakt, konfliktet mes forcave politike për daljen nga BE sollën edhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme. Qeveria e kryeministrit Boris Johnson arriti një marrëveshje me Brukselin, por ajo nuk arriti të merrte miratimin e deputetëve në parlament.

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar ka dy dhoma: Dhomën e Përfaqësuesve me 650 anëtarë dhe Dhomën e Lordëve me 793 anëtarë. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve zgjidhen drejtpërsëdrejti me votë, ndërsa anëtarët e Dhomës së Lordëve emërohen. Për këtë arsye, roli i Dhomës së Lordëve mbi pushtetin ekzekutiv është shumë i kufizuar. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar formohet nga shumica në Dhomën e Përfaqësuesve dhe përgjigjet thuajse ekskluzivisht vetëm para saj.

Kjo është edhe arsyeja që sot, votuesit në Mbretërinë e Bashkuar zgjedhin vetëm 650 anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Sondazhet e deritanishme i japin një avantazh prej 9 përqind Partisë Konservatore dhe kryeministrit në detyrë Boris Johnson. Megjithatë, nisur edhe nga rezultati i zgjedhjeve të kaluara të 8 qershorit 2017, gjasat janë që asnjë forcë politike nuk do të ketë e vetme shumicën prej të paktën 326 vendesh në parlament.

Të drejtë vote kanë rreth 46 milionë shtetas të Mbretërisë së Bashkuar mbi moshën 18 vjeç, të cilët do të zgjedhin mes 3 322 kandidatëve të ndryshëm. Territori i Mbretërisë së Bashkuar është ndarë në 650 zona zgjedhore dhe sistemi zgjedhor që përdoret është sistemi mazhoritar. Fituesi shpallet sipas parimit “kush merr më shuma vota fiton”, edhe në rast se kandidati me më shumë vota nuk ka marrë më shumë se gjysmën e votave të vlefshme në atë zonë zgjedhore.