Ballina BOTA Mbretëri e Bashkuar, zgjedhjet parlamentare, Boris Johnson dhe Brexit fitojnë bindshëm

Mbretëri e Bashkuar, zgjedhjet parlamentare, Boris Johnson dhe Brexit fitojnë bindshëm

Kryeministri në detyrë Boris Johnson dhe Partia Konservatore që ai drejton ka fituar pastër dhe bindshëm zgjedhjet e parakohëshme parlamentare që u zhvilluan dje në Mbretërinë e Bashkuar, një fitore që i ka çuditur të gjithë për mandatin e fuqishëm që Johnson ka marrë.

Tashmë, Boris Johnson dhe Partia Konservatore mund të qeverisin të vetëm, pa nevojën e krijimit të një koalicioni.

Deri sot në orën 6:15 minuta të mëngjesit, numërimi i votave kiushte përfunduar në 642 zona zgjedhore nga 650 që janë gjithsej. Partia Konservatore ka marrë, deri tani, 358 vende, duke shënuar rritje të ndjeshme. Mandatin e kaluar, Partia Konservatore kishte 317 vende në parlament, gjë që e vuri në vështirësi qeverinë, duke sjellë edhe zgjedhjet e parakohëshme.

Partia Laburiste që drejtohet nga Jeremy Corbyn ka marrë vetëm 203 vende, shumë më pak nga sa kishte mandatin e kaluar. Partia Laburiste do të vijojë të mbetet në opozitë, tashmë edhe më e dobët. Mandatin e kaluar, Partia Laburiste kishte 242 vende në parlament.

Rritje të ndjeshme sa i përket vendeve në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar pati edhe Partia Nacionaliste Skoceze. Mandatin e kaluar, Partia Nacionaliste Skoceze kishte 35 vende, ndërsa tani ka marrë të paktën 48 vende. Partia Nacionaliste Skoceze kundërshton daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian dhe kërkon një pavarësi edhe më të madhe për Skocinë.

Lideri i opozitës Jeremy Corbin ka pranuar humbjen, duke lënë të nënkuptohet se do të jepte edhe dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Laburiste. “Unë nuk do ta udhëheq më Partinë Laburiste në fushatat e ardhshme,” – tha Corbyn.

Boris Johnson, gjatë fjalimit me rastin e fitores, tha se qeveria e re do të respektonte vullnetin demokratik të popullit. “Besoj se këto do të shndërrohen në zgjedhje historike, pasi na kanë dhënë mundësinë që qeveria e re të respektojë vullnetin demokratik të popullit britanik, të ndryshojë këtë vend për mirë,” – tha Johnson.

Para zgjedhjeve, kryeministri Boris Johnson kishte deklaruar se, më 31 janar 2020, Mbretëria e Bashkuar do të largohej nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe pa një marrëveshje rregulluese.

Në fakt, Johnson e ka arritur një marrëveshje me Brukselin, por që nuk u miratua në parlament, duke gjetur madje kundërshtime edhe nga disa deputetë rebelë të Partisë Konservatore. Por, tani, gjasat janë kretj ndryshe: jo vetëm se fitorja e Johnson është e thellë, por edhe se deputetët rebelë nuk janë më.