Ballina BOTA Mbretëri e Bashkuar, opozita kërkon referendum tjetër për daljen nga BE

Mbretëri e Bashkuar, opozita kërkon referendum tjetër për daljen nga BE

Organet drejtuese të Partisë Laburiste, në Mbretërinë e Bashkuar, kanë vendosur të shprehet në favor të mbajtjes së një referendumi të dytë rreth daljes nga Bashkimi Evropian nëse negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për këtë çështje dështojnë.

Qeveria aktuale e konservatorëve të kryeministres Theresa May ka arritur një marrëveshje me Brukselin, marrëveshje kjo që nuk ka gjetur mbështetje në parlament. Opozita laburiste e drejtuar nga Jeremy Corbin, në këmbim të votës për ratifikimin e marrëveshjes kërkon ndryshimin e saj, gjë që deri tani ka rezultuar e pamundur.

Në këtë mënyrë, laburistët janë shprehur për një tjetër referendum për çështjen Brexit nëse dështojnë negociatat me rivalët konservatorë. Shumica e anëtarëve të këshillit drejtues të Partisë Laburiste vendosën që të pëkrahin votimin popullor nëse qeveria refuzon të ndryshojë marrëveshjen aktuale me Bashkimin Evropian.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, qeveria synon të hedhë për votim edhe alternativat e propozuara nga opozita. Sipas planit të dakordësuar edhe me Bashkimin Evropian, Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga organizata evropiane politiko-ekonomike brenda 31 tetorit.