Mbledhja e Komitetit të Ekspertëve/Çfarë pritet të ndryshojë javën që vjen

98

Ministria e Shëndetësisë në raportin e 24 orëve të fundit bëri sot të ditur se nga 2966 testime janë regjistruar 286 raste të reja si dhe 7 humbje jete.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 237 pacientë, 15 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Mësohet se spitali Covid 4 nuk ka aktualisht asnjë pacient të shtruar, por do të mbetet i hapur për t’i paraprirë ndonjë situate të pakëndshme në vijim.

Po ashtu në 24 orët e fundit 543 pacientë janë shëruar.

Nga kjo situatë, teksa rastet kanë rënë ndjeshëm, Komiteti Teknik i Ekspertëve mësohet se do të mblidhet javën e ardhshme, për të lehtësuar masat shtrënguese.

Edhe policia ka hequr dorë nga gjobat gjatë ditëve të fundit, ndërsa fasha orare me rastin e muajit të Ramazanit (13 prill) do të rikthehet nga ora 22:00 deri në 6:00.

Po ashtu, pritet të ketë edhe lehtësira për disa nga aktivitetet e mbyllura deri tani, siç janë shkollat apo edhe grumbullimet.

“Sot ka njerëz që ankohen pse nuk shtyhet ora. Kam diskutuar dhe një gjë është e sigurt vaksinimi duhet shoqëruar me distancim. Unë nervozohem dhe nuk arrij dot dhe të mos reagoj kur shoh dasmat e infektimit të opozitës. Çdo orë që fitojmë sot është një orë e fituar nesër”, tha Rama.

“I kam kërkuar që ta konsiderojnë mundësinë që për shkak të ramazanit ne ti japim besimtarëve një frymëmarrje dhe nga kjo do të përfitojnë edhe qytetarët e tjerë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Nuk duhet ta sabotojmë vetveten duke thënë hajde se po vaksinohemi”.

Nisur edhe nga vaksinimi, Rama beson se sezoni turistik do të jetë shumë i lehtësuar. “Deri në fund të qershorit me planin tonë do të kemi bërë një vaksinim shumë masiv”, theksoi kryeministri Rama.