Ballina OPINION Mbi 100 milionë euro të shpërdoruara në emër të partisë

Mbi 100 milionë euro të shpërdoruara në emër të partisë

nga Alfred Peza

Tragjedia e pronës së përbashkët është një teori e rëndësishme ekonomike  që shpjegon sjelljen e njerëzve kur askush nuk ka të drejtë mbi një pronë. Në këto raste, shpjegon teoria, gjithkush në ekonomi do ta shfrytëzojë sa më shumë një pronë apo burim natyror përtej asaj që është e dobishme për gjithë shoqërinë. Shembuj të kësaj sjelljeje ne mund t’i shohim kudo në Shqipëri dhe në fakt dëmet që kanë ndodhur në vend kanë ardhur kryesisht prej këtij fenomeni: tragjedia e pronës së përbashkët. Lumenj ku askush nuk është pronar janë të mbishfrytëzuara, pyje ku askush nuk është pronar, janë të dëmtuara, toka ku askush nuk është pronar i qartë, janë të përvetësuara etj.

Por mbi të gjitha, “tragjedia e pronës së përbashkët” po shfaqet si fenomen në mënyrë shqetësuese në sjelljen e punonjësve shtetërorë ndaj buxhetit të shtetit. Në një punë të admirueshme, BIRN dhe Infocip shpjegojnë se kostoja e buxhetit të shtetit nga “largimet me pa të drejtë nga puna” përllogariten në mbi 100 milionë euro nga viti 2014 dhe po ashtu pagat që pritet të paguhen në tre vitet e ardhshme arrijnë në 30.000. Përse vjen ky dëm?

PARTITË-SHTET APO SHTETI I PARTIVE?

I gjithë problemi lind me procesin e menaxhimit të shtetit, i cili, pas zgjedhjeve, i ofrohet në pjatë të argjendtë partive politike. Këto të fundit “korruptojnë” mbështetësit me premtimin e thjeshtë se po erdhën në pushtet ata, do të punësohen në shtet në emër të partisë. Duke qenë se mbështetësit janë të paduruar dhe zgjedhjet vijnë në një cikël 2- vjeçar, atëherë partia në pushtet strehon me shpejtësi mbështetësit e vet, duke larguar punonjësit aktualë. Presioni që vjen për pushtet nga liderët e partive politike transmetohet më pas ndaj drejtorëve të administratës, të cilët mendojnë se partia është shteti dhe bëjnë veprime të jashtëligjshme në shtet me urdhër partie. E gjithë kjo vjen nga koncepti i partisë-shtet, që përcolli diktatura komuniste ku shteti shihet si “pronë e përbashkët”, pra, të askujt. Sot kemi atë që Iljazaj e quan “shteti i partive”.

MUNGESA E NDËSHKIMIT PËR VEPRIMET PERSONALE

Urdhri i partisë do të shndërrohej në nul në rast se drejtorët e administratës shtetërore do t’i mbanin personalisht kostot e veprimeve të tyre të gabuara. Në rast se Gjykata Administrative vërteton se një individ është hequr në kundërshtim me ligjin e nëpunësit civil nga puna, atëherë dëmin nuk duhet ta mbajë buxheti i shtetit, por direkt titullari që ka vepruar gabim. Kjo i jep “pronësi” firmës së hedhur gabim e askush nuk do të sillej në mënyrë të papërgjegjshme. Kostot do të minimizoheshin.

PUNËSIMI NË SHTET JO SI SHËRBIM PUBLIK, POR SI SIGURACION PRIVAT

Shumë prej ish-punonjësve, në mënyrë pragmatike, hyjnë në ujdi me titullarët ku u kërkohet të hiqen nga puna në një mënyrë që ligjërisht të përfitojnë para nga buxheti i shtetit. Kjo ujdi bëhet në mënyrë që ishpunonjësi dhe titullari të ndajnë më pas pagesën e marrë nga shteti në formën e dëmshpërblimit. Pra, financat publike shihen si pronë e përbashkët, ku gjithkush mundohet të përfitojë. Dhe në një organizëm të madh shtetëror ku punësohen mbi 110 mijë persona, shanset për të tilla “marifete” janë shumë të larta. Po ashtu, duke qenë se shteti ka shumë pushtet në Shqipëri dhe pushteti përdoret për korrupsion, shumë njerëz futen në shtet për të krijuar lidhje personale në mënyrë që të mbrohen nga shteti në punën e tyre private. Pra, punësimi në shtet jo si shërbim publik, por si siguracion privat.

PRESIONI NË GJYKATËN ADMINISTRATIVE

Gjykata Administrative supozohej të ishte një mekanizëm çlirues për biznesin dhe sipërmarrjen private ku konfliktet me administratën shtetërore do të zgjidheshin shpejt e në mënyrë efikase. Por, sot janë mbi 12000 çështje që presin në këtë Gjykatë dhe kohëzgjatja e tyre është mbi 4 vite për shqyrtim. Nga ana tjetër, Gjykata e Lartë pritet të ketë mbi 60.000 çështje për shqyrtim. Në vitin 2018, raporton Infocip, Gjykata Administrative e Apelit kishte 4743 vendime për të shqyrtuar, ku 30% e tyre kishin objekt marrëdhëniet e punës. Pra, “tragjedia e pronës së përbashkët” bën që shumë titullar të heqin punonjës me pa të drejtë nga puna, duke sjellë kosto financiare për taksapaguesit, por mbi të gjitha duke rënduar akoma më shumë Gjykatën Administrative e për rrjedhojë biznesin në vend.