Ballina Aktualitet Matura Shtetërore, zhvillohet edhe provimi i fundit, fillon pritja për aplikimin në...

Matura Shtetërore, zhvillohet edhe provimi i fundit, fillon pritja për aplikimin në universitete (VIDEO)

Rreth 36 mijë maturantë kanë dhënë sot provimin e lëndëve me zgjedhje, që ishte edhe provimi i fundit i Maturës Shtetërore. Në këtë mënyrë, edhe 400 maturantët nga zona e Kavajës, ashtu si bashkëmoshatarët e tyre në të gjithë vendin, kanë përfunduar rrugëtimin e nisur më 7 qershor, me provimin e gjuhës së huaj, dhe që vazhdoi më pas me provimin e Gjuhës Shqipe dhe letërsisë dhe me provimin e matematikës.

Tani, për maturantët fillon pritja e rezultateve dhe procedura e aplikimit për të vijuar studimet e larta.

Pas shpalljes së rezultateve të Maturës Shtetërore, maturantët duhet fillimisht të paguajnë tarifën e regjistrimit prej 2000 lekë të reja, procedurë kjo që do të kryhet duke filluar nga data 27 qershor deri më 25 korrik, dhe më pas, nga data 31 korrik deri më 5 gusht, ata do të aplikojnë për 10 programet e preferuara për të vijuar studimet e larta.

Pas datës 26 gusht, universitetet shpallin fituesit, duke i dhënë kështu fund këtij kalvari të gjatë pritje për maturantët.