Ballina Aktualitet Matura Shtetërore, 400 maturantë nga Kavaja zhvilluan provimin e gjuhës së huaj...

Matura Shtetërore, 400 maturantë nga Kavaja zhvilluan provimin e gjuhës së huaj (VIDEO)

Rreth 400 maturantë nga zona e Kavajës janë ulur sot në provimin e gjuhës së huaj, që është edhe provimi i parë i Maturës Shtetërore. Provimi i zhvillua në dy qendra testimi, në Shkollën 9-Vjeçare “Rilindja” për maturantët nga qyteti i Kavajës dhe në Shkollën e Mesme Kombëtare të Agrobiznesit në Golem për maturantët zonave rurale.

Provimi përmban pyetje me zgjedhje dhe pyetje me zhvillim dhe arsyetim. Këtë vit, pyetjet me zgjedhje do të korrigjohen në mënyrë elektronike, me lexues optik, për të shmangur çdo gabim njerëzor. Sa i përket pyetjeve me zhvillim dhe arsyetim, korrigjimi do të bëhet njëkohësisht nga dy vlerësues të pavarur nga njëri-tjetri. Në rast mospërputhje të dy vlerësimeve, përgjigjet e dhëna nga maturantët do të korrigjohen edhe nga një vlerësues i tretë.

Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 pas datës së provimit.

Pas provimit të gjuhës së huaj, radhën e ka provimi i Gjuhës Shqipe dhe letërsisë, ai i matematikës dhe provimi i lëndëve me zgjedhje.

Matura Shtetërore, krahas përfundimit të arsimit të mesëm, shërben edhe për regjistrimin e kandidatëve në universitetet publike. Në të gjithë vendin, në provimet e Maturës Shtetërore janë regjistruar rreth 36 mijë maturantë.