Ballina Aktualitet Masakroi dhe vrau kunatën, autori arrestohet në Peshkopi

Masakroi dhe vrau kunatën, autori arrestohet në Peshkopi

Policia e Tiranës ka vënë në pranga Dashamir Xhepen, i cili ishte shpallur në kërkim për vrasjen e kunatës së tij, Lirie Xhepa, në 13 shkurt, pranë kodrave të liqenit të Sharrës.

Për ngjarjen është arrestuar edhe një person tjetër, me akuzën e përkrahjes së autorit të krimit.

“Shërbimet e Policisë Tiranë, pas identifikimit të autorit të dyshuar të vrasjes së shtetases L. Xh., janë vënë në ndjekje intensive të tij. Në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative shërbimet e Policisë lokalizuan vendodhjen e autorit të dyshuar, shtetasit D. Xh., dhe bënë kapjen dhe arrestimin e tij në qytetin e Peshkopisë ku dhe strehoej”, sqaron policia.

Gjithashtu u arrestua dhe shtetasi M. S., për “Përkrahje të autorit të krimit”, i cili ka ndihmuar dhe strehuar autorin e dyshuar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Armëmbajtje pa leje”, në ngarkim të shtetasit D. Xh., dhe për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”, në ngarkim të shtetasit M. S.