Ballina Aktualitet Marok, presidenti Meta pjesëmarrës në Konferencën e OKB

Marok, presidenti Meta pjesëmarrës në Konferencën e OKB

Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti Konferencën Ndërqeveritare të Nivelit të Lartë, të organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Marrakesh, Marok për të adaptuar “Kompaktin Global për migrim të sigurt, të organizuar dhe të rregullt”.

Duke iu drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres si dhe 150 krerëve të shteteve dhe qeverive pjesëmarrës, presidenti Meta u shpreh se “Kompakti Global është rezultat i trendit gjithnjë në rritje të migrimit. Është rezultat i shqetësimit tonë të përbashkët. Por është gjithashtu rezultat i domosdoshmërisë për një reagim kolektiv e të përbashkët në partneritet dhe solidaritet brenda një kuadri shumëpalësh”.

Meta tha se “të gjitha vendet tona, qoftë ato të origjinës, të tranzitit apo të vendmbërritjes, preken nga migrimi. Dhe me përvojën që kemi pasur kemi mësuar se mund ta trajtojmë këtë dukuri vetëm në partneritet, sepse është një proces shumë i vështirë dhe kompleks”.

“Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut; ka të bëjë me menaxhimin e kufijve; ka të bëjë me kostot financiare; ka të bëjë me kohezionin social; me sovranitetin dhe kështu mund të vazhdoj pafund.Ne nuk duhet të lejojmë që të dobësohemi nga lëvizshmëria njerëzore. Përkundrazi, ne duhet të fuqizohemi duke krijuar një mekanizëm më human, më dinjitoz dhe të sigurt për të qeverisur migracionin,” – tha ai.