Ballina BOTA Marok, De Niro nderohet me “Yllin e Artë”

Marok, De Niro nderohet me “Yllin e Artë”

Robert De Niro ka marrë Yllin e Artë nga miku i tij prej gati një jete, Martin Scorsese, një çmim karriere përgjatë natës së parë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, i cili është duke u zhvilluar në Marakesh të Marokut.

”Mund të themi që është kulmi i karrierës së Robertit, veçse ai djalë ka më shumë kulme se zinxhiri i Atlantikut! E kemi filluar bashkëpunimin me njëri-tjetrin 45 vite më parë dhe besoj se është një ndër ngjarjet më të bukura të jetës time,” – tha Scorsese.

De Niro më pas ka gjetur rastin për të sulmuar “nacionalizmin grotesk” të SHBA në periudhën e Trump-it. Me “Taxi Driver”, fitues i Palmës së Artë në Festivalin e Kanës në vitin 1976 dhe më pas me “Raging Bull”, që i dha Oscar-in në vitin 1981, solidariteti mes De Niros dhe Scorseses, të rritur në të njëjtën lagje të Neë York-ut, është konsoliduar gjithnjë e më shumë, deri tek bashkëpunimi i tyre i fundit, filmi “Irishman”, filmi i 9-të i bashkëpunimit Scorsese-De Niro, i cili pritet të dalë në muajt e parë të 2019-ës.

Ylli i vërtetë i ditës së parë të Festivalit të XVII të Marakeshit, i cili do të zgjasë deri me 8 dhjetor ishte Robert De Niro, 75-vjeçari, i cili u tregua mjaft i përzemërt me fansat, duke firmosur autografe .

Aktori ka kujtuar gjithashtu me nostalgji Bernardo Bertoluccin, i cili ndërroi jetë me 26 nëntor dhe me të cilin në vitin 1976 ka xhiruar filmin e famshëm “Novecento”.