Ballina LAJME Maqedoni e Veriut, kancelarja Merkel jep garanci për datën e negociatave

Maqedoni e Veriut, kancelarja Merkel jep garanci për datën e negociatave

Maqedonia e Veriut ka marrë garanci me shkrim për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian në muajin tetor. Pas deklaratave të kryeministrit Zoran Zaev, edhe kancelarja gjermane Angela Merkel u zotua se do të bëjë çdo gjë të mundur për të caktuar një datë për fillimin e bisedimeve.

Duke folur nga Brukseli, pas samitit të udhëheqësve të BE, kancelarja Merkel tha se vendimi “ishte çështje javësh.”

“Do të bëj gjithçka që mundem për një vendim pozitiv për shkak se Maqedonia e Veriut ka bërë një punë shembullore me arritjen e Marrëveshjes së Prespës dhe ne kemi biseduar për këtë, – ka thënë kancelarja gjermane. – Është çështje e javësh, me të vërtetë, përkushtimi ynë qëndron dhe sa më takon mua, do të përdor të gjithë peshën time politike për këtë.”

Para samitit të udhëheqësve të BE, kryeministri i Maqedonisë së Veriut deklaroi se vendi ka marrë garanci me shkrim për çeljen e negociatave në tetor.