Ballina RAJONI Maqedoni, ndotja arrin në nivele alarmante në dy ditët e fundit

Maqedoni, ndotja arrin në nivele alarmante në dy ditët e fundit

Autoritetet maqedonase kanë dhënë alarmin për rritjen e ndjeshme të ndotjes së ajrit në Shkup dhe zona të tjera të vendit gjatë ditëve të fundit. Zëvendësministri i Ambientit tha se nëse ky nivel i ndotjes vazhdon, nevojitet marrja e masave të jashtëzakonshme si transporti publik falas, inspektimet në terren dhe ndalimi i aktivitetit të kompanive të ndërtimit.

Ndotja e ajrit në kryeqytetin e Maqedonisë ka arritur në nivel alarmant, gjatë dy ditëve të fundit.

Sipas Ministrisë së Ambientit, grimcat e dëmshme PM10, janë katërfish mbi normën e lejuar.

Nëse situata do të vazhdojë e njëjtë edhe në ditët në vazhim, atëherë autoritetet thonë se do të merren masat e jashtëzakonshme.

“Kemi dy faza pragu i informimit dhe pragu i alarmimit, sot nëpërmjet ministrisë tonë deri tek të gjitha institucionet është njoftuar se është tejkaluar pragu i informimit,” – është shprehur zëvendësministri i Ambientit Jetësor, Jani Makraduli.

Aktualisht, si fazë e parë kundër ndotjes, qytetarët rekomandohen të mos dalin jashtë pa patur nevojë, të tregojnë kujdes me ushqimin dhe të shfrytëzojnë sa më shumë transportin publik.

Nëse edhe të martën, niveli i ndotjes vijon të jetë kaq i lartë, atëherë hyn në fuqi masa e jashtëzakonshme që nënkupton transport falas, ndërprerje të të gjitha aktiviteteve ndërtimore në ambient hapur si dhe rritje e kontrolleve të inspektorëve në terren.