Ballina RAJONI Maqedoni, merren në mbrojtje deputetët opozitarë pro emrit të ri

Maqedoni, merren në mbrojtje deputetët opozitarë pro emrit të ri

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka marrë në mbrojtje deputetët opozitarë të VMRO-DPMNE-së, të cilët votuan pro ndryshimeve kushtetuese. Që nga votimi i 19 tetorit, patrulla policore po qëndrojnë në afërsi të shtëpive të shtatë deputetëve, ndërsa ata ruhen edhe gjatë lëvizjeve jashtë banesave të tyre.

Një vendim i tillë është marrë pas kërcënimeve në rrjetet sociale se deputetët që do të votonin për ndërrimin e emrit të shtetit do të tradhtonin idealin e atdheut dhe parimet e partisë VMRO-DPMNE dhe se me asnjë çmim nuk do të mbështesin marrëveshjen kapitulluese me Greqinë.

Por, disa nga deputetët që votuan ndryshimet, ka thënë se nuk ndjehen të rrezikuar. Ish-ministrja e kulturës Elizabeta Kançevska dhe Lube Arnaudov thanë se asnjëherë nuk kanë marrë kërcënime për jetën, ndërsa kanë mbrojtur qëndrimin për votimin e ndryshimeve kushtetuese, si mundësi për të ndërhyrë në përmirësimin e marrëveshjes për emrin gjatë fazës së paraqitjes së amendamenteve për forcimin e identitetit maqedon.