Ballina LAJME Maqedoni e Veriut, kryeministri Zaev: Të dielën zgjedhim Pendarovskin për president

Maqedoni e Veriut, kryeministri Zaev: Të dielën zgjedhim Pendarovskin për president

“Për të dielën kam tre porosi. E para, asnjëherë më regjim. E dyta, së bashku të ecim në rrugën e vërtetë, rrugën evropiane. Dhe e treta, të dielën më 5 maj, në muajin e pestë, të zgjedhim Stevo Pendarovskin president të pestë të shtetit.” Kështu ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev gjatë një tubimi me qytetarët në Manastir.

“Fillimisht, më e rëndësishme është përgjegjësia ndaj shtetit, – ka thënë kryeministri Zaev. – Më me rëndësi është të dalim, të votojmë dhe të zgjedhim presidentin e Maqedonisë së Veriut. Kjo është porosia më e rëndësishme.”

Ndërkohë, vetë kandidati Stevo Pendarovski ka bërë thirrje që votuesit të refuzojnë kandidaturën e opozitës VMRO-DPMNE, e cila, sipas tij, ishte një kthim prapa në kohën e qeverisjes së korruptuar të kryeministrit Nikola Gruevski. “Praktikisht, de fakto, jemi anëtare të NATO, për më pak se dy muaj do të marrim datën për negociata me BE, kemi marrëvshje historike me Bullgarinë dhe me Greqinë, e përmbyllëm marrëveshjen kornizë dhe nuk duhet të lejojmë që opsioni i kundërt të fitojë, që do të thotë kthim prapa, ndoshta edhe dekada,” – ka thënë Pendarovski.

Nesër, në Maqedoninë e Veriut zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku përballë njëri-tjetrit janë kandidati i mazhorancës Stevo Pendarovski dhe kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska.