Ballina Aktualitet Maqedoni e Veriut, kryeministri Zaev propozon zgjedhje të parakohëshme

Maqedoni e Veriut, kryeministri Zaev propozon zgjedhje të parakohëshme

Kryeministri Zoran Zaev ka vendosur të propozojë zgjedhje të parakohëshme për Maqedoninë e Veriut, në takimin e tij më të afërt me liderët politikë të koalicionit që drejton. Gjatë një konference për shtyp, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, lidhur me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat për anëtarësim, tha se Brukseli kishte bërë një padrejtësi dhe për këtë duhej që secili politikan të merrte përgjegjësitë e veta.

“Para dy ditësh, Brukseli na bëri padrejtësi, – tha kryeministri Zaev. – Ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Ky është një vendim i Evropës dhe i problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz. Secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve.”

“Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve,” – tha mes tjerash Zaev.