Ballina RAJONI Maqedoni, betohen avokatët e rinj të shtetit, mes tyre edhe tre shqiptarë

Maqedoni, betohen avokatët e rinj të shtetit, mes tyre edhe tre shqiptarë

Institucioni i Avokatit të Shtetit në Maqedoninë e Veriut është forcuar edhe me gjashtë juristë të rinj, mes të cilëve edhe tre shqiptarë. Në këtë mënyrë, përveç rritjes së kapaciteve të veta institucionale, Avokati i Shtetit ka nisur të përfshijë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera etnike në vend.

Avokati i Shtetit në Maqedoninë e Veriut ka raste të pa zgjidhura, të cilat zanafillën e tyre e kanë që nga viti 2000. Por, me betimin e gjashtë avokatëve të rinj të shtetit, mes tyre edhe tre shqiptarë, janë shtuar shpresat e qytetarëve se do mund të gjejnë drejtësinë e munguar në këto dy dekada.

Fehmi Stafa, drejtuesi i Avokatit të Shtetit në Maqedoninë e Veriut, ka shpjeguar për mediat në Shkup se “tashmë ka filluar të bëhet edhe aplikimi i sistemit elektronik dhe në procedurë e sipër është edhe regjistrimi i të gjitha të dhënave.” “Ndërkohë, me këtë përforcim shpresoj se Avokati i Shtetit do të rrisë kapacitetet për zgjidhjen e kontesteve, ku disa prej rasteve janë po aq të vjetra sa ky institucion,” – ka shtuar Stafa.

Avokati i Shtetit në Maqedoninë e Veriut ka 35 juristë, 12 prej të cilëve janë për zonën e Shkupit.