Manzë, Basha me banorët e prekur nga tërmeti: Vazhdojnë të flenë jashtë

19

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijon takimet me banorët e prekur rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntort. Sot, Basha ishte në Hamallaj, Manzë dhe Radë, prej nga ku deklaron se banorët vazhdojnë të flenë jashtë, në çadra ose në makina.

Sipas Bashës, tërmeti i 26 nëntorit “nxorri në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie.”

“Banorët ne Hamallaj, Manzë dhe Radë vazhdojnë të flenë jashtë, në çadra ose në makina, – shkruan lideri demokrat në profilin e tij në Facebook. – Pavarësisht propagandës, shteti ështe inekzistent, ndërsa familjarëve tashmë u duhet të përballen edhe me përkeqësim të gjëndjes shëndetësore kryesisht të fëmijëve dhe të moshuarve për shkak të të ftohtit, shirave dhe mungesës së ngrohjes.”

“26 nëntori nxorri në pah dështimin dhe paaftësinë e kësaj qeverie, – vijon më tej Basha. – Nxorri në pah sjelljen e pashpirt dhe kriminale ndaj pasojave të tërmetit të 21 shtatorit që solli humbje jetësh njerëzore.”

“Nëse ky kryministër dhe qeveria e tij do të punonte me të njëjtin pasion dhe përkushtim për qytetarët, siç punon për oligarkët, nuk do të kishte qytetarë që nuk e dinë fatin e banesave të tyre apo jetojnë nëpër çadra, të uritur, të shokuar, dhe në dëshpërim,” – nënvizon Basha në postimin e tij në Facebook.