Ballina Aktualitet Mali i Zi, presidenti Meta viziton shqiptarët e Rozhajës

Mali i Zi, presidenti Meta viziton shqiptarët e Rozhajës

Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë pune në Komunën e Rozhajës në Malin e Zi, ku sot mori pjesë si i Ftuar Nderi në veprimtarinë kulturore dhe letrare të përvitshme “Ora e Maleve 2018”.

Në fjalën e tij përshëndetëse si i Ftuar Nderi në tubimin tradicional të veprimtarisë kulturore e letrare kushtuar poezisë shqipe “Ora e Maleve 2018”, Presidenti Meta vuri në dukje se këtë vit kombi shqiptar feston dy ngjarje të rëndësishme, 550-vjetorin e largimit në përjetësi të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut si dhe 110-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si shenjë përbashkimi të shqiptarëve dhe lajtmotivi që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë.

“Alfabeti dhe gjuha e bukur shqipe janë elementi më i rëndësishëm përbashkues i shqiptarëve kudo në botë. Prandaj edhe këtu në Rozhajë, rëndësia më e madhe për të gjithë ne është ruajtja e gjuhës sonë të bukur shqipe. Edhe ky aktivitet kulturor, i shërben këtij qëllimi,” – theksoi Meta.