Ballina Aktualitet Mali i Zi, ministri Bushati në Ministerialin A5

Mali i Zi, ministri Bushati në Ministerialin A5

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në Ministerialin e Kartës SHBA-Adriatike apo siç njihet ndryshe A5, i cili zhvillohet në Podgoricë të Malit të Zi, vendi që mban kryesinë për vitin 2018.

Në takim, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe vëzhguese të saj diskutuan mbi situatën aktuale politike dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve anëtare dhe vëzhguese të A5-ës në funksion të integrimit euro-atlantik të rajonit.

Ministri Bushati në cilësinë e kryesuesit të kësaj nisme për vitin 2019, vuri në dukje se kjo platformë i ka shërbyer plotësisht qëllimit të saj fillestar, për të mbështetur përpjekjet tona drejt integrimit euro-atlantik.

“Besojmë se është koha për ri-adresimin e fokusit të Nismës. Fokusi i kryesisë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike do të jetë forcimi i mëtejshëm i koordinimit dhe mbështetjes reciproke, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, në luftën aktive dhe me efektivitet kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm,” – tha Bushati.