Ballina Aktualitet Mahnitet Zvicra, panairi i shqipërisë turistike lë mbresa

Mahnitet Zvicra, panairi i shqipërisë turistike lë mbresa

Shqipëria ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “Fespo 2019” në Zürich të Zvicrës, ku janë prezantuar bukuritë natyrore dhe mundësitë që ofron për turistët.

Edhe këtë herë bukuritë shqiptare janë prezantuar nga Saimir Shala, i cili tashmë organizon udhëtime grupore nga Zvicra për në Shqipëri.

Agjencia e Turizmit e Shqipërisë ende nuk e ka përcaktuar Zvicrën si vend për të marrë pjesë në një panair, ku do të prezantohen bukuritë shqiptare, por këtë po e bën për dy vjet i vetëm Saimir Shala, në panairin “Fespo” në Zürich. Por, autoritetet e turizmit Shqipëri- Kosovë kanë punuar bashkë në mënyrë intensive dhe tani, sipas diplomatit nga Shqipëria, janë në fazën e formalizmit për të krijuar në kuadër ligjor turizmi.

Ka shumë zviceranë që ndalen te standi i Saimirit dhe interesohen për Shqipërinë dhe bukuritë që ka vendi. “Ne kemi më shumë produkte për turizmin malor, sidomos për Veriun e Shqipërisë, Thethin dhe Valbonën”, tha Saimir Shala, i veshur me veshje kombëtare shqiptare, i cili po prezanton bukuritë e Shqipërisë para Mongolisë, vendi pritës i panairit të sivjetmë. Saimirin nuk po e pyesin më si është siguria në Shqipëri.

Kompania zvicerane “Edelweis” dhe ajo “Germania Flug AG” do ta zgjerojnë rrjetin e tyre të qarkullimit dhe gjithashtu do të fluturojnë edhe në vendin e shqiponjës dykrenare. Në verën e vitit 2019 kryeqyteti shqiptar, Tirana, do të shtohet në orarin e fluturimeve.

Nga data 1 prill 2019 linja ajrore “Edelweis” do të fluturojë nga Zyrihu për në Tiranë gjatë ditëve të hëna dhe të premte, ndërsa “Germania Flug AG” do të fillojë nga 30 maji, të enjteve dhe të dielave. Lejla Ibrahimi, e cila drejton kompaninë “Air Prishtina”, po vizitonte standin e Shqipërisë në Zürich dhe është e bindur se numri i turistëve zviceranë do të rritet edhe me shtimin e linjave ajrore direkte Zürich- Tiranë.

Nga 31 janari deri më 3 shkurt 2019, 65 mijë vizitorët e FESPO-s kanë mësuar për traditat mongoliane dhe kulturën nomade. Mongolia ka nderuar këtë vit panairin më të madh të Zvicrës, si një vend pritës. 600 ekspozues turistikë kanë marrë pjesë në panairin e sivjetmë “Fespo 2019”.