Ballina Aktualitet Macron ‘vulos’: Nuk hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Merkel:...

Macron ‘vulos’: Nuk hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Merkel: Dëshpëruese!

Vendim negativ nga samiti i krerëve të shteteve të Bashkimit Europian për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Aspak surprizë: Presidenti francez Emannuel Macron nuk është bindur për hapjen e negociatave Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë që kundër Shqipërisë janë pozicionuar edhe Holanda me Danimarkën.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar zyrtarisht mungesën e konsensusit mes vendeve të BE-së për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Merkel tha se ky vendim i BE-së ishte dëshpërues dhe patjetër që do të shkaktojë zhgënjim mes dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, por ajo tha se mirëkupton edhe qëndrimin e Presidentit Macron për reformimin e sistemit të zgjerimit të Bashkimit Europian.

Nuk do të mbyllet me këtu. Merkel siguroi se çështja e negociatave do të vazhdohet të diskutohet që para samitit të Zagrebit në maj 2020, i cili do të jetë destinacioni i radhës ku do të diskutohet nga ana e Këshillit Europian për çështjen e integrimit të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, ku pritet të unifikohet qëndrimi i krerëve të unionit për çështjen e zgjerimit.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi në konferencë për shtyp se para se Bashkimi Evropian të vendosë për zgjerimin, duhet të reformojë së pari veten. “Nuk e ndjejmë ende veten gati për të hapur derën, pavarësisht se e dimë që kishte shpresë të madhe te vendet që kanë bërë përparime. Popujt nuk janë fajtorë, por ne kërkojmë reforma konkrete”, shtoi Macron.