Ballina Aktualitet LSI, mbahet Konventa Kombëtare, Kryemadhi: Të rrëzojmë regjimin kriminal të Ramës

LSI, mbahet Konventa Kombëtare, Kryemadhi: Të rrëzojmë regjimin kriminal të Ramës

Gjatë punimeve sot të Konventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kryetarja Monika Kryemadhi deklaroi se protestat dhe mosbindja civile nuk do të ndalet derisa të ketë zgjedhjet të lira.

“Ne sot Shqipëria na ka caktuar një detyrë, shkurt dhe shqip, të mbrojmë demokracinë, – ka deklaruar Kryemadhi. – Ne nuk kthehemi më mbrapsht. Tashmë nuk është më sekret, me sondazhe dhe pa sondazhe, ne jemi shumicë, sepse në njërën anë është një njeri me një grusht kriminelësh dhe oligarësh dhe disa kërpudha që janë kthyer në fasada të tij dhe anën tjetër janë shumica e shqiptarëve që duan integrimin e Shqipërisë. Në këtë vënd, fatmirësisht, ata që nuk pranuan të bëhen fasadë e Edi Ramës janë sot shumica dhe sot shumica është opozita e bashkuar dhe jo vetëm, por me të gjithë ata shqipëtarë të cilët duhet të bashkohen dhe të rrëzojnë këtë regjim kriminal. Protestat tona dhe mosbindja civile do të vazhdojnë derisa ‘sulltani i krimit’ të bindet, me hir a me pahir, do apo nuk do ai, në Shqipëri do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Kryemadhi kërkoi angazhimin e LSI për të bindur qytetarët t’i bashkohen protestës së 11 majit për t’i dhënë, siç tha ajo, “dërmën përfundimtare këtij regjimi kriminal.”