Ballina BOTA Londër, presidenti Thaçi takon ministrin Duncan

Londër, presidenti Thaçi takon ministrin Duncan

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka udhëtuar për një vizitë një ditore në Britaninë e Madhe.

Presidenti Thaçi takoi sot në Londër, Sir Alan Duncan, ministër për Evropën dhe Amerikën në qeverinë britanike.

Kreu i shtetit e ka njoftuar ministrin britanik për përpjekjet për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në Kosovë dhe rajon.

“Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në reforma dhe është e interesuar që të vazhdojë me këta hapa edhe në të ardhmen. Po punojmë edhe për një marrëveshje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Serbinë,” – ka shtuar ai.

Në anën tjetër, ministri Duncan ka thënë se Britania e Madhe mbështet perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe të rajonit.

Presidenti Thaçi në takim me ministrin Duncan ka theksuar se Kosova dëshiron të bëhet kontribuuese në paqen në rajon dhe më gjerë, si dhe në shërbim të kësaj janë edhe përpjekjet për një marrëveshje me Serbinë, e cila do të sjellë njohjen reciproke dhe mbylljen e kapitullit të konfliktit.