Ballina Aktualitet Lirimi i të fejuarit të Elvana Gjatës, ç’ndodhi në gjyq. Ervin Mata...

Lirimi i të fejuarit të Elvana Gjatës, ç’ndodhi në gjyq. Ervin Mata nuk ishte në seancë, por…

Dy ditë pasi u vetëdorëzua në Polici, edhe pse për 5 muaj iu shmang drejtësisë, Ervin Mata është lënë i lirë dje nga Gjykata e Tiranës.

Vetë i fejuari i këngëtares Elvana Gjata nuk ishte i pranishëm në seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë, por përfaqësohej nga avokati i tij, Alban Bengasi.

Ndonëse me herët Gjykata kishte vendosur në mungesë masën “Arrest me burg”, të cilën e kërkoi sërish prokurori i çështjes, gjyqtari Artan Gjermeni dje vendosi ta ndryshojë atë në “Detyrim paraqitjeje”. Prokuroria nuk ka qenë dakord me vendimin e dhënë, pasi gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, ka kërkuar “Arrest me burg”.

Mbi 32-vjeçarin Ervin Mata janë ngritur akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Ai do vazhdojë të hetohet për përfshirjen ose jo në vrasjen e Fabian Gaxhës dhe plagosjen e Ervis Martinajt, mbrëmjen e 4 tetorit 2018, në zonën ish-Bllokut në Tiranë. Megjithatë, gjatë hetimeve ai nuk do të qëndrojë më në burg.

Prokurorët e dosjes pritet të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Apelit, ku do kërkojnë sërish “Arrest me burg” për 32-vjeçarin. Në dëshminë që ka dhënë në Policinë e Tiranës pas vetëdorëzimit, Ervin Mata është shprehur se është larguar sapo kanë nisur të shtënat dhe nuk e ka parë se kush ka qëlluar. Ai ka deklaruar përpara hetuesve se nuk është përfshirë në përplasjen me armë, nga e cila mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Eljon Hato dhe Ervis Martinaj.