Ballina Aktualitet Lidhja me Ervin Matën dhe largimi në Austri, çfarë tha Elvana Gjata...

Lidhja me Ervin Matën dhe largimi në Austri, çfarë tha Elvana Gjata për vrasjen në ish-Bllokut

Në lidhje me vrasjen e 4 tetorit në ish-bllok, dy muaj më parë, ka dhënë dëshminë e saj edhe këngëtarja Elvana Gjata. Në nëntor të 2018, Elvana Gjata është paraqitur vetë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka dhënë dëshminë e saj, e cila në fakt kërkohej me detyrim prej më shumë se një muaji.

Këngëtarja ka deklaruar se nuk i njeh asnjë nga personat e përfshirë në konflikt dhe se nuk ka qenë në lokal as para dhe as në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Duke shpjeguar në këtë formë edhe arsyen pse kishte shkuar të takonte të fejuarin e saj, me të cilin ajo thotë se bashkëjetonte prej një viti dhe ka shkuar për t’i dhënë çelësin e shtëpisë.

Më ketë argument, ajo ka shpjeguar edhe largimin e saj nga Shqipëria disa orë pas ngjarjes, si një udhëtim të planifikuar më parë dhe nuk kishte mundësi për ta shtyrë. Për këtë arsye, i ka dhënë çelësin Ervin Matës, pasi nuk do ta takonte më gjatë asaj nate. Ndërsa e pyetur nëse ka pasur komunikime me Matën gjatë kësaj kohe që ai është i shpallur në kërkim, ajo ka mohuar të ketë folur me të dhe ka deklaruar se nuk ka dijeni për vendndodhjen e tij.

Pas verifikimit të sistemit TIMS, rezultoi se këngëtarja 31- vjeçare ishte larguar nga Shqipëria vetëm pak orë pasi ndodhi krimi, pa dhënë më parë shpjegime në Polici. Kjo ishte edhe arsyeja pse u bë shpallja në kërkim policor, pasi dëshmia e Elvana Gjatës ishte e rëndësishme për grupin hetimor dhe mund të ndihmonte në zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Burimet thanë se rreth orës 05:00 të mëngjesit të datës 5 tetor, pak orë pasi u vra me armë zjarri 28- vjeçari Fabian Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljon Hato, këngëtarja ka fluturuar nga Rinasi në drejtim të Austrisë.