Ballina BOTA Libi, NATO bën apel për përfundimin e luftës civile

Libi, NATO bën apel për përfundimin e luftës civile

Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg, në një takim përfaqësuesin e posaçëm të OKB në Libi, Ghassan Salame, u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Libi t’u japin fund përleshjeve dhe të nisin procesin politik.

Siç thuhet në një njoftim të NATO, gjatë takimit në Bruksel, Stoltenberg është shprehur se aleanca ndihet thellësisht e shqetësuar nga gjendja aktuale në Libi dhe u ka bërë thirrje palëve të përfshira t’i japin fund konfliktit dhe t’i kthehen procesit politik.

Ai ka nënvizuar se NATO mbështet fuqishëm përpjekjet e OKB, ndërsa ka apeluar te palët në Libi dhe komuniteti ndërkombëtar që të ofrojnë mbështetje për procesin e paqes.

Libia ka mbetur e përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur një kryengritje e përgjakshme e mbështetur nga NATO çoi në rrëzimin dhe vdekjen e presidentit Muammar Gaddafi.