Ballina Aktualitet Liberalizimi i vizave, Haradinaj për “Die Welt”: Ju garantoj, nuk vijnë kriminelë...

Liberalizimi i vizave, Haradinaj për “Die Welt”: Ju garantoj, nuk vijnë kriminelë nga Kosova

Në vazhdën e jehonës që pasoi punimet e Samitit të Berlinit, e përditshmja prestigjioze gjermane, “Die Welt” ka intervistuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajn, lidhur me temën e shumëdebatuar të korrigjimit të kufijve mbi baza etnike. Në bërjen e bilancit të bisedimeve me Kancelaren gjermane, Angela Merkel dhe Presidentin francez, Emmanuel Macron, Haradinaj shprehet se mundësia e vënies në zbatim të idesë së këmbimit të territoreve është përjashtuar pa kthim nga tryeza për rivendosjen e dialogut dhe të normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Haradinajt, dialogu që u ndërmor me ndërmjetësimin e Përfaqësues së Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Përbashkët të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, do të duhej të përfundonte me njohjen e Kosovës. Mirëpo, devijimi i negocimit drejt hullisë së rrezikshme të rivizatimit të kufijve, ka vonuar zgjidhjen e konfliktit në këndvështrimin e kreut të ekzekutivit të Kosovës, duke destabilizuar po ashtu situatën e rajonit. “Tani jemi kthyer në tryezën e bisedimeve, në atë pa temat e këmbimit të territoreve dhe zhvendosjes së kufijve. Kush do të ripërcaktojë kufijtë në rajonin tonë thërret tragjeditë e së shkuarës. Kjo është e rrezikshme”, ka thënë Haradinaj.

Përsa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, pasi nënvizon rëndësinë parësore që ka rrallimi i largimit të studentëve apo i punëtorëve të kualifikuar nga vendi, Haradinaj shton se në shtetet anëtare të BE-së nuk ka vend për panik, duke dhënë garancinë se përmes lëvizjes së lirë nuk do t’i krijohet terren “eksportimit” të krimit të organizuar. “Liberalizimi i vizave do të ishte për të gjitha vendet një përfitim -për klientë, studentë, sportisë, afaristë dhe më shumë. Ne mund të garantojmë, që nuk vijnë kriminelë.”- siguron Haradinaj.

Pas marrjes së përkrahjes së Gjermanisë lidhur me procesin e liberalizimit të vizave, qeveria e Kosovës formoi një grup ekspertësh që do të bashkëpunojnë në rrafshin e përmbushjes së standarteve adekuate me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Gjermanisë. Në takimin që zhvilloi të hënën gjatë punimeve të Samitit të Berlinit me ministrin e Brendshëm të Gjermanisë,  Horst Seehofer-in, kreu i AAK-së mori garancinë e liberalizimit të vizave që do të mundësojë lëvizjen e lirë të shtetasve të Kosovës përreth hapësirës “Schengen”.