Ballina Kronikë Lezhë, zbardhjet vrasja e kryeplakut

Lezhë, zbardhjet vrasja e kryeplakut

Pas arrestimit nga policia, 52 vjeçari Tonin Prendi është shfaqur krejt i qetë, ndërsa u ka treguar bluve të Lezhës edhe arsyet e krimit që ndodhi një ditë më parë në Merqi të Lezhës.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se autori, pasi kishte qenë shkues qe mbesa e tij të bëhej nusja e djalit të viktimës, kishte krijuar lidhje të ngushta me krushkun.

Ata takoheshin shpesh dhe Gjin Marku i kishte lënë shtëpinë nën ruajtje dhe kryerjen e punëve të ndryshme në tokën e tij që ndodhej rreth 200 metra larg banesës së vrasësit Tonin Prendi. Kohët e fundit mes tyre kishte pasur pakënaqësi që lidhej me refuzimin që viktima i kishte bërë mikut të shtëpisë së tij për të mos i dhënë punë të tjera.

Kjo shmangie ka ardhur pasi Gjin Marku nuk ka qenë i kënaqur me punën e bërë nga Tonin Prendi dhe kështu ka ndodhur edhe një ditë më parë pas korrjes së barit.

Viktima i kishte thënë autorit që nuk do të kishin më punë së bashku dhe se punët e shtëpisë së tij do ja besonte disa punëtorëve të tjerë. Mëngjesin e së mërkurës Gjin Marku, ka marrë 3 punëtore dhe ka shkuar për të mbledhur barin në parcelë.

Sapo e ka parë duke kryer punët me punëtorë, Tonin Prendi ka marrë një armë zjarri automatik dhe ka shkruar drejt mikut të tij. Viktima e ka parë autorin duke ardhur me armë zjarri dhe ka tentuar të largohet, por nuk ka pasur kohë pasi ndaj tij është shkrehur breshëri automatiku. Plumbat e kanë përshkuar tej për tej 63 vjeçarin Marku duke e lënë të vdekur në vend.

Ngjarja është parë nga punëtorët, të cilët janë larguar me shpejtësi nga parcela nga frika e autorit. Ky i fundit u largua për tu arrestuar pak orë më vonë. Ndaj tij rendon akuza e vrasjes me paramendim, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.